Fundi i mandatit të Sejkos, nisin “ethet” për guvernatorin e ri - Tirana Today

Fundi i mandatit të Sejkos, nisin “ethet” për guvernatorin e ri

Në nëntor të këtij viti përfundon mandati i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Genti Sejko dhe i katër antarëve të këshillit të Mbikëqyrjes, Petraq Milo, Dhori Kules, Ela Golemit dhe Elisabeta Gjonit. “Ethet” e zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë kanë filluar tashmë dhe janë disa pretendentë në garë, përfshirë edhe guvernatorin aktual, ka mësuar Monitor.


Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të vijuar mandatin e lënë përgjysmë nga ish Guvernatori Ardian Fullani. Ky i fundit ishte zgjedhur për një mandat të dytë në Bankën e Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

Si pasojë e përfundimit të mandatit 7 vjeçar të guvernatorit, këtë vit rihapet gara për Guvernatorin dhe 4 anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrjes, të cilët duhet të rizgjidhen ose te ikin nga pozicionet jo më vonë se nëntori i këtij viti.

Neni 161 i Kushtetutës përcakton se, Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Gjithashtu anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

Po çfarë parashikon komentari i nenit 44, lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshilli Mbikëqyrës dhe guvernatorit:

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:

-Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;

-Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;

-Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:

arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; të mos kenë pengesa të parashikura në nenin 47.

Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendës guvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori dhe zëvendës guvernatorët mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji.

Drejtuesit e BSH që u përfundon mandati

GENTI SEJKO u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani në vitin 2011.

DHORI KULE është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

ELA GOLEMI është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.

ELISABETA GJONI është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.

PETRAQ MILO është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011


Kategori
EkonomiShqipëriaTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu