Kronikë

Flet autori i masakrës në Mat: Ja pse ndodhi ngjarja

               Publikuar në : 17:46 - 12/10/18 S.N

Zbardhet versioni i autorit të masakrës në Mat, lidhur me krimin e 3-fishtë. Kujtim Koxha u tha hetuesve se dikush e kishte qëlluar dhe e kishte quajtur të dehur. Kaq ka mjaftuar që Koxha të marrë automatikun e ta zbrazë duke shkaktuar 3 viktima.

“Njëri nga ata më qëlloi në shuplakë dhe më tha je i dehur”, tha autori i masakrës në Shëlli. Kujtim Koxha u tha hetuesve se nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur.

U justifikua vetëm me fjalët se njëri nga viktimat e kishte fyer dhe e kishte qëlluar me shuplakë, raporton Tv Klan. Më pas ai ka treguar se pas debateve për rrugën me punonjësit e Bashkisë ka vrapuar në shtëpi. Ka marrë automatikun e më pas është kthyer në lokal.

Burime nga hetimet thanë se në vendin e ngjarjes u gjendën 11 gëzhoja pasi 51-vjeçari ka qëlluar me breshëri. Një nga të pranishmit ka tentuar t’ia heqë armën nga dora, pasi Koxha tentoi të vriste të gjithë ata që ndodheshin në lokal.

Nga ngjarja gjeti vdekjen në vend Mentor Hoxha, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi humbën jetën pak orë pas ngjarjes. I plagosur mbeti dhe Astrit Hani, i cili po merr mjekim në spitalin e Burrelit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia arrestoi 51-vjeçarin rreth një orë larg vendngjarjes, në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie.

Kthehu