Editorial - Opinione

Fikja e transmetimeve analoge dhe populizmi i panevojshëm

               Publikuar në : 22:17 - 11/09/18 lm

Nga Mero Baze/ Kaosi 24 orësh i krijuar  në zonën Tiranë- Durrës pas fikjes së sinjalit analog në transmetimet televizive është një ngjarje e vonuar dhe shtyrja e transmetimit numerik është një populizëm i panevojshëm.

Shqipëria ka pasur detyrim qysh në vitin 2015 të kalonte transmetimin televiziv nga rrjetet analoge, në ato numerike, për të liruar frekuencat kombëtare sipas një plani për rregullimin ndërkombëtar të frekuencave, ku Shqipëria ka detyrimet e saj.

Është një vendim i qeverisë së Sali Berishës më 2008, i cili buron nga detyrimet ndërkombëtare që ka Shqipëria, dhe jo nga ndonjë politikë lokale. Prej vitit 2015 deri më sot, ky proces është shtyrë nga kaosi i frekuencave dhe nga uzurpuesit e frekuencave, që tashmë i njohim të gjithë dhe që kanë krijuar një monopol në tregun shqiptar.

Tirana dhe Durrësi janë rajoni i katërt në radhë që po ndodh ky proces. Më parë ky proces ka kaluar me sukses në Korçë, në Berat dhe në Fier, pra në tre qarqe të mëdha të Shqipërisë. Këto tre qarqe kanë thuajse një vit që punojnë në frekuenca numerike dhe nuk ka ndodhur ndonjë kaos.

Kaosi në Tiranë vjen natyrisht prej numrit të lartë të popullsisë dhe mungesës efikase të njoftimeve për procesin. Do të ishte më mirë që AMA ta fikte çdo javë 10 minuta transmetimin e TV-ve, dhe më pas të jepte njoftimin sqarues, ose të gjente ndonjë formë tjetër publiciteti. Kjo, sa i takon detyrimit për njoftim.

Problemi real mendoj se qëndron tek dekoderat. Fakti që procesi u shty deri në janar, nuk e zgjidh problemin e mundësisë së pagesës së dekoderit, prandaj këtu duhet të ndërhyjë qeveria.

Dekoderi mund të kompensohet në faturën që ne bëjmë për pagesën e RTVSH, ose përmes një forme tjetër, për të siguruar që cdo familje shqiptare të marrë një dekoder universal falas. Ose qeveria ta përcaktojë standardin e të ardhurave të familjeve dhe të kompensojë ata që nuk kanë fuqi blerëse, poshtë një kufiri. Ky proces ka kuptim.

Fikje- ndezja e transmetuesve nën ndjesinë e presionit pubik, është tërheqje populiste dhe nuk e zgjidh problemin. Shqipëria është e detyruar të kalojë në transmetime numerike dhe kjo nuk është as çështje e Edi Ramës, as e Sali Berishës, por çështje e detyrimeve ndërkombëtare që kemi si shtet.

Problemi jonë është se nuk dimë të menaxhojmë as detyrimet ndërkombëtare dhe kemi tre vjet që e vonojmë këtë proces, dy vjet duke u marrë me tekat e uzurpuesve të frekuencave, dhe një vit duke e menduar kur ta fikim sinjalin analog, se mos ndërpresim seritë e Ertugulit.

Fakti që tre qarqe në Shqipëri e kanë përballuar pa problem këtë reformë rrënjësore, do të thotë se kjo mund të bëhej dhe në Tiranë dhe Durrës, por fushata informuese duhej të ishte më agresive dhe njerëzit të mos ndjeheshin si të kapur në kurth, për t’iu turrur dyqaneve për dekoder.

Kështu ndodh kur gjithë lekët e fushatës informuese i merr Sandri dhe në fund rezultati është që njerëzit as kanë marrë vesh se çfarë duhet të ndodhë me trasmetimet, por e marrin vesh menjeherë se ku shitet dekoderi. Uzurpuesit e frekuencave që vonuan procesin për tre vjet, thjesht shpejtuan shitjen e dekoderave. Kaq ka ndodhur.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu