Kryesore

Fake News/Gazetarët e njohur: Ja kur thuhen të vërtetat dhe gënjeshtrat në media!

               Publikuar në : 18:55 - 12/09/18 S.N

Në ditët e sotme të lexosh “fake news nuk është diçka e pamundur. Madje sipas studimeve, historitë false kanë më shumë probabilitet të bëhen virale krahasuar me ato të vërtetat. Për të diskutuar më tepër mbi këtë çështje, disa prej emrave më të njohur të gazetarisë shqiptare dhe gjyqësorit u mblodhën në një panel të organizuar nga fondacioni “Qemal Stafa”. Në një takim me studentë, ata folën për vërtetësinë e lajmit, përhapjen e lajmeve të rreme, si edhe lidhjen e politikës me mediat.

“Në Shqipëri që një lajm është gënjeshtër dhe jo i vërtetë, nuk është fenomen i ri. Ne sot endemi të përgënjeshtrojmë ato lajme që dolën në 45 vjet. Fake news në vendin tonë ka filluar që në qeverinë e parë të shtetit, që në kohën e Ismail Qemalit,”-tha para të rinjve gazetari Roland Qafoku.

Teksa në vitin 2017 “fake news” u cilësua si fjala e vitit, shumë fajësojnë portalet dhe qeveritë e sotme për përhapjen e këtij fenomeni. Por, për gazetaren Rudina Xhunga, “fake news” është pjesë e medias shqiptare. Nuk filloi me hapjen e portaleve, veçse u shtua me to.

Fake news është përhapur nga njerëz që përfitojnë dhe ata që e pësojnë, janë pikërisht ata që e besojnë. Por, mbase as nuk kanë lidhje fare. Mënyra për të shpëtuar është të mësosh, të zhvillosh logjikën dhe njohuritë personale.”

Për gazetarin Alfred Peza problemi nuk qëndron vetëm në përhapjen e lajmeve të rreme. Por, ato së fundmi po kombinohen me disa fakte të vërteta, për tu krijuar një gënjeshtër më e sofistikuar. Sipas tij, mediat në Shqipëri janë shtuar shumë, por përsëri nuk kanë liri.

“Shembulli është rasti i Babales, u morën disa të dhëna të vërteta, për të krijuar një rrëmujë të pavërtetë. Por, deri sa të kuptohet e vërteta, “fake news” ka marr dhenë. Pasi gënjeshtra shkon më shpejt te njerëzit.

Rrallë gjen një drejtor të përgjithshëm të një televizioni që të mos jetë edhe pronari, apo djali, ose vëllai i pronarit. Ky është një regres shumë i madh. Nuk ka të vërtetë që një nga mediat shqiptare nuk e publikon dot më. Ne kemi pluralizëm të mediave, por nuk kemi liri të plotë.”

Ndërkohë gazetari Muhamed Veliu shprehu se janë të shumta mediat të cilat kanë për pronarë biznesmen. Të cilët për hatër të zhvillimit të bizneseve të tyre, bëjnë marrëveshje me qeverinë dhe përdorin median që drejtojnë.

“Janë drejtuesit e mediave, ata të cilët kanë shkuar në prehër të kryeministrit Rama. Po ashtu edhe në të shkuarën kanë bërë marrëveshje me kryeministrat e kohës. Kjo pasi ata nuk janë vetëm pronarë të mediave, kanë një sërë biznesesh të tjera. Dhe për të fuqizuar këto biznese, ulen dhe bëjnë marrëveshje me politikën.”

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari tha se midis gjyqësorit dhe mediave duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë. Dhe gazetarët, veçanërisht ata të kronikës duhet të jenë më të kujdesshëm të mos prishin hetimin për një çështje të caktuar.

“Mediat kontrollohen politikisht, kjo është e vërtetë. Mirëpo, ato kanë kapur maksimumin e kontrollit politik. E kanë arritur kulmin e dëmit që kanë sjellë në shoqëri. Më parë midis Prokurorisë dhe mediave kishte një bashkëpunim shumë të mirë. Pasi ne kishim për interes të zbulonim çështjen dhe gazetarët, ata seriozë i transmetonin faktet publikut. Gjithmonë pa prishur hetimin. Kjo marrëdhënie duhet të vazhdojë, pasi të dyja palët ndihmojnë njëra-tjetrën.”

Dy janë arsyet kryesore përse shpërndahen “fake news”, një pasi lajmi i rremë do të thotë më shumë klikime, e rrjedhimisht përkthehet në para. Dhe pjesa tjetër lidhet me marrëveshjet politike. Me lindjen e një numri të madh portalesh dhe lehtësinë e shpërndarjes së “fake news”, rritet mundësia që këto lajme të përhapen më shumë. Ndaj për këtë është nevoja e krijimit të një ligji.

“Të dënosh një njeri që përhap  fake news është mirë. Por, në fund të fundit ai që ka përhapur një lajm të rremë, ka paguar. Ndaj, në rast se ti paguan për ta bërë këtë gjë, shumë lehtë paguan për tu mbrojtur nga gjoba me të cilën dënohesh,”-shprehet Xhunga.

Drejtoresha ekzekutive e fondacionit “Qemal Stafa” thotë se janë nisur të merren hapa ndaj ndëshkimit të gjithë atyre që shpërndajnë lajme të rreme. Veçanërisht kur ato përhapen në rrjete sociale.

“Është propozuar që mediat sociale, siç është Facebook mund të gjobitet me një shumë të caktuar. Në momentin që brenda 24 orëve nuk bllokon të gjithë ata që kanë shpërndarë dhe kanë qenë burim i lajmeve të rreme.”

Për ish-prokurorin Hajdari midis Prokurorisë dhe medias, kjo e fundit ka qenë më e saktë në raportimin dhe ndjekjen e çështjeve.

“Më produktive në raport me publikun dhe shoqërinë është media dhe jo prokuroria. Me këtë katrahurë ku përfundoi Prokuroria në Shqipëri gjatë mandatit të prokurorit të fundit, shyqyr që ishte media. Pasi në këtë mënyrë mbajti gjallë çështje shumë të rëndësishme, për të cilat organi i akuzës fjeti gjumë gjatë këtyre 5-6 viteve.” Tirana Today

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu