Editorial - Opinione

“Fake news” është  një alibi për autokratët, duhet nxjerrë jashtë përdorimit

               Publikuar në : 08:43 - 04/08/18 Joshua Habgood-Coote, “Newsweek

Nga Joshua Habgood-Coote, “Newsweek”/Gjatë një konference shtypi të kohëve të fundit në Britaninë e Madhe, Donald Trump, i ndërpreu pyetjen në mes një gazetari të një medie që ai e urren.

“CNN është një media e rremë – unë nuk pranoj pyetje nga CNN”- tha ai, duke zhvendosur me shpejtësi shikimin tek një gazetar i Fox News. Është e lehtë të mendosh se të gjithë e dinë se çfarë do të thotë “fake news”. Por përdorimi i tij është i gabuar – dhe politikisht i rrezikshëm.

Jo vetëm që njerëzit e ndryshëm kanë pikëpamje të kundërta për kuptimin e “lajmit të rremë”, por në praktikë termi minon vlerat intelektuale të demokracisë – dhe ekziston një mundësi reale që nuk do të thotë asgjë. Ne do të ishim më mire, nëse do ta ndërprisnim përdorimin e këtij termi.

Mund të fillojmë të shohim problemet me “lajmin e rreme”, kur vëmë re se sa njerëz nuk pajtohen me kuptimin e saj.

Disa e përdorin atë si një term për të kapur të gjitha informacionet problematike ose të dyshimta, një shembull i rëndësishëm ishte historia e pavërtetë që u shfaq në mediat sociale gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, se Hillary Clinton ishte përfshirë me një rrjet të trafikimit seksual të fëmijëve, të drejtuar nga një piceri në Uashington.

Disa njerëz përdorin termin “fake news”, për të folur mbi historitë e rreme. Për shembull, Facebook duket se mendon se “fake news” do të thotë lajme të rreme, prandaj ata preferojnë të flasin për “lajmet e rreme”.

Por shumë gazetarë e përdorin këtë term për të thënë diçka afër “gënjeshtrës”, që do të thotë se përfshin një synim për të mashtruar.

Redaktori i “Buzzfeed”, Craig Silverman, të cilit i njihet merita e popullarizimit të kësaj fraze, ka hetuar forumet që prodhonin fake news në Maqedoni, të cilat fabrikojnë histori për të tërhequr klikime fitimprurëse. Përkufizimi i tij, si dhe synimi për të mashtruar njerëzit, ka një motiv fitimi.

Ky përkufizim, përshtatet mirë me forumet e “clickbait” por më pak mirë me fjalimin e motivuar politikisht.

Por “fake news”, nuk i referohet vetëm tregimeve ose gënjeshtrave të rreme. Filozofi amerikan Michael Lynch, ka identifikuar atë që ai e quan “loja e bombardimeve në internet” – përhapjen e qëllimshme të një përzierjeje të tregimesh të vërteta dhe të rreme, për të ngatërruar publikun.

Në këtë mënyrë, disa informacione të vërteta diskreditohen me tregimet e rreme, duke qëndruar së bashku. Fraza “lajmi i rremë”, është një rrëmujë e kuptimeve kontradiktore. Filozofia e gjuhës, na jep disa mjete për të menduar rreth termave që janë popullore, por diagnoza ime e preferuar është se “fake news” thjesht nuk ka kuptim.

Është një fjalë e pakuptimtë, e zbrazët. Pra, përse ta përdorim? Në gojën e demagogëve të krahut të djathtë, akuza është një urdhër që të mos besohet një histori, dhe të mos besohet institucioni që e ka prodhuar atë. Jashtë Amerikës së Veriut dhe Evropës, puna anti-demokratike e “lajmit të rremë” është më eksplicite.

Në disa vende, “lajmi i rremë”, është përdorur për të justifikuar ligjet e censurës – Ushtria Birmaneze dhe Presidenti i Filipineve e kanë përdorur për të hedhur poshtë raporte që kundërshtojnë historitë e tyre të preferuara. Përdorimi i këtij termi, legjitimon përdorimet propagandistike, duke i bërë ato të duken si kontribute të arsyeshme në diskursin publik.

Ne gjithashtu mund të shqetësohemi, se përdoruesit e mirëfilltë të “lajmit të rremë”, do të tundohen të përdorin mjetet e demagogëve për t’u angazhuar në debatin intelektual, duke minuar përkushtimin e tyre për të hapur diskursin publik.

Nëse duam të shmangim bisedat boshe dhe të legjitimojmë propagandën, thjesht duhet të ndalojmë përdorimin e termit “fake news”.

E çfarë duhet të përdorim në vend të tij? Unë dyshoj se ne mund t’ia dalim mjaft mirë me terma të zakonshëm, të tillë si “gënjeshtra”, “dokrra” dhe “jo i besueshëm”. Ndoshta ne kemi nevojë për terma të rinj, por nuk duhet të fillojmë duke u përpjekur të ri-propozojmë mjetet e demagogëve për të mbrojtur demokracinë.

PËRSHTATI TIRANA TODAY

Kthehu