Editorial - Opinione

Evropa duhet të rifitojë sovranitetin e saj si një fuqi botërore

               Publikuar në : 09:29 - 03/08/18 Bardhi

Nga Joschka Fischer, “Project Syndicate”/Berlin – Pas turneut të fundit europian të presidentit amerikan Donald Trump, që kulmoi me konferencën e tij të famshme për shtyp me presidentin rus Vladimir Putin, s’mund të ketë më asnjë dyshim se ai dhe përkrahësit e tij duan të shkatërrojnë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga amerikanët, dhe sistemin global të tregtisë.

Sigurisht, Trump nuk është sinonim i Shteteve të Bashkuara. Ai triumfoi në zgjedhjet e vitit 2016, pavarësisht se mori më pak vota se sa kundërshtarja e tij, dhe vlerësimi i tij publik nuk i ka kaluar kurrë 50 për qind. Megjithatë, ai është presidenti i SHBA-së, dhe kjo e bën atë njeriun më të fuqishëm në botë.

Veprimet e tij, edhe pse shpesh absurde dhe kontradiktore, kanë pasoja serioze në botën reale, veçanërisht për partnerët më të ngushtë të Amerikës. Gjatë ndalimit të tij të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, Trump shkoi aq larg, sa ta cilësonte “një armik” Bashkimin Evropian.

Duke synuar të prishë pothuajse gjithçka që e ka përkufizuar Perëndimin, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Trump e ka sjellë botën në një pikë kthese historike. Në rrezik nuk është marrëdhënia SHBA-BE, e cila mbetet e fortë, por pozita dominuese e Perëndimit në skenën botërore.

Trump është duke përshpejtuar ndryshimin e ekuilibrit global të pushtetit, që do të largohet si nga Amerika ashtu edhe Europa që është më e dobët në terma relativë. Ndërsa të ardhurat dhe pasuria zhvendosen nga Perëndimi në Lindje, Kina do të jetë gjithnjë e më shumë në gjendje të sfidojë SHBA-në si fuqia kryesore gjeopolitike, ekonomike dhe teknologjike e botës.

Por ky tranzicion, nuk do të ndodhë normalisht. Për Europën, rreziqet nuk mund të ishin më të larta. Ribalancimi i pushtetit që është duke ndodhur, mund të përcaktojë fatin e demokracive të Europës, të shteteve të mirëqenies, të pavarësisë dhe mënyrës së jetesës.

Nëse Evropa nuk përgatitet, do të mbetet pa zgjidhje tjetër, veçse të bëhet e varur nga Amerika apo Kina. Evropianët nuk duhet të mbështeten në aleancat dhe rregullat ekzistuese, për të pasur mbrojtje më të madhe gjatë kësaj periudhe. Por as nuk mund të rikthehemi në logjikën e politikës tradicionale të pushtetit të shekullit XIX-të.

Bota mund të jetë duke shkuar drejt një situate, në të cilën nuk ka një hegjemon të qartë, dhe ku fuqitë e mëdha garojnë vazhdimisht për pozitën e tyre. Por rrethanat sot, janë shumë të ndryshme nga ato të epokës së “Lojës së Madhe”. Një rivalitet përshkallëzues midis Kinës dhe Amerikës do të jetë gjithçka, porveçse i dobishëm për kontinentin e vjetër.

Për evropianët, shekulli XIX-të u diktua nga pasojat e Revolucionit Francez dhe Revolucionit  Industrial, ndërsa shekulli XX nga dy luftëra botërore, Lufta e Ftohtë dhe zhvillimi i armëve bërthamore. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, dy fuqi jo evropiane në të dyja anët e sistemit shtetëror të vjetër evropian – SHBA dhe Bashkimi Sovjetik – dolën në skenën ndërkombëtare, dhe Europa u bë vetëm një kuadrat tjetër në fushën e shahut.

Deri në atë kohë, Europa e kishte qeverisur botën, kryesisht për shkak të progresit të saj teknologjik. Por me fundin e Luftës së Dytë Botërore, dominimit të saj i erdhi fundi. Evropa – dhe veçanërisht Gjermania – u nda më pas midis dy fuqive të reja dhe sovraniteti evropian u suprimua nga establishmenti i politikës së jashtme amerikane dhe Kremlini.

Sigurisht, Franca dhe Britania e Madhe, si dy fuqitë fitimtare evropiane, ruajtën një lloj sovraniteti si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (dhe më vonë si shtete të armatosura bërthamore).

Por, duke pasur parasysh balancën globale të pushtetit, kjo ishte më shumë simbolike, sesa një pasqyrim i ndikimit të tyre të vërtetë. Pastaj erdhi fundi i Luftës së Ftohtë, kur e gjithë Evropa adoptoi një orientim të fortë transatlantik. Për sa i përket sigurisë, Evropa mbeti e ndërvarur nga SHBA.-ja. Por në frontet ekonomike dhe teknologjike, evropianët rifituan sovranitetin e tyre.

Institucionalisht, kjo ndarje e punës u manifestua respektivisht në NATO dhe BE. Është një marrëveshje që na ka shërbyer mirë; por që tani është nën sulmin e Trump. Tre zhvillime i kanë dhënë në veçanti Europës arsye për të pasur frikë për të ardhmen e saj.

Së pari, Trump ka vazhduar të vërë në pikëpyetje angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e ndërsjellë, nën Traktatin e Atlantikut të Veriut. Së dyti, administrata e tij po minon në mënyrë aktive Organizatën Botërore të Tregtisë dhe sistemin e tregtisë globale, mbi të cilën mbështetet shumica e prosperitetit të Evropës. Dhe së treti, rritja e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, tani kërcënon të ndryshojë hierarkitë teknologjike globale.

Secila nga këto zhvillime, po sfidon pozitën e Evropës në botë. Çështja tani është nëse BE-ja do të kërkojë të rifitojë sovranitetin e saj të plotë, dhe të vendosë veten si një fuqi në skenën globale, apo do ta lërë veten pas të tjerëve. Ky është momenti i së vërtetës. Nuk do të ketë një shans të dytë.

Vetëm BE mund të rimarrë sovranitetin europian për shekullin XXI. Nëse detyra u bie shteteve kombëtare tradicionale, si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, ato do të dështojnë. Rivendosja e sovranitetit, do të kërkojë jo vetëm përpjekje të mëdha, por edhe një front të bashkuar dhe një kuptim të ri të marrëdhënieve midis BE dhe shteteve të saj anëtare.

Projekti europian, do të vazhdojë të lehtësojë tregtinë dhe të sigurojë paqen; por tani duhet të mbrojë sovranitetin e përbashkët. Nëse BE-ja e përmbush këtë detyrë, Trump i ka bërë pa dashje një favor të madh. Histori nganjëherë ecën përpara në mënyra të çuditshme. Thelbi është ta marrësh atë si të vjen, dhe të mos hezitosh kur të vijë momenti të ndërmarrësh një hap vendimtar.

Shënim: Joschka Fischer, ka qenë Ministri i Jashtëm dhe zv/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005.

PËRSHTATI TIRANA TODAY

Kthehu