Kronikë

EKSKLUZIVE/ Skema e masakrës në Bllok, komandoja i qëlloi të gjithë kokë-gjoks, veç Martinajt

               Publikuar në : 16:35 - 11/10/18 S.N

Nga Ferdinand Dervishi

Një javë më pas ekspertët e hetuesit e kanë më të qartë skemën e masakrës së datës 4 tetor në zemër të ish-Bllokut.

Ngjarja që trazoi Tiranën është zhvilluar në pak sekonda në një lokal të përshtatur për klientelë VIP. Të parët kanë mbërritur aty Ervin Mata në shoqërinë e 4-5 të tjerëve, mes të cilëve edhe komandoja Mevjol Bilo. Fillimisht ata kanë biseduar me pronarin e lokalit, Redi Popesku, duke i sqaruar e marrë leje që të përdornin lokalin e tij për një takim me disa persona me të cilët duhet të sqaronin një çështje. Popesku ka rënë dakord, i ka akomoduar duke u hapur një shishe verë e duke urdhëruar punonjësit të çojnë një pjatë me feta molle.

Gjashtë apo shtatë personat janë ulur në tavolinën e dytë të lokalit, që gjendej në pjesën e parë të tij, duke marrë karrige edhe nga tavolina tjetër, e vendosur më pranë derës.

Mevjol Bilo është ulur në krye të tavolinës, me shpinë nga muri, të tjerët kanë zënë vende kazuale. Bilo, në krah të djathtë të tij kishte pjesën e dytë të lokalit, e cila për efekt të ruajtjes së privatësisë ndahej nga banaku me një mur të veshur me elemente druri.

Pak para orës 22:00 të mbrëmjes në lokal futen Fabjol Gaxha, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Të tre pozicionohen në këmbë mes banakut dhe tavolinës ku gjendej Mevjol Bilo, Ervin Mata e të tjerët: Fabiol Gaxha më në thellësi, Ervis Martinaj në mes dhe Hato në anën që shikon nga hyrja.

Sipas dëshmive të mbledhura, Ervis Martinaj është përshëndetur përzemërsisht me personin që ishte ulur në fund të tavolinës, pra përballë Mevjol Bilos, dhe menjëherë më pas është kthyer duke komunikuar me një banakier. Në momentin që Martinaj po fliste me banakierin, Fabjol Gaxha nis të debatojë në distancë me Mevjol Bilon.

Fjalët e para të Gaxhës dëshmohet të kenë qenë: “Çfarë ke që më shikon?”

Një sekondë më pas të dy nisin të shajnë njëri-tjetrin. Në acarim e sipër Gaxha nxjerr pistoletën, një “Glock” të prodhimit austriak me 15 fishekë. Njëkohësisht armën e nxjerr edhe Bilo, shumë më i shpejtë dhe më i saktë në qitje.

Si të ishte një Terminator, apo të kishte një krah mekanik, Bilo qëllon dy plumba kokë-trup në drejtim të Fabjol Gaxhës, të cilët rezultojnë fatalë. Distanca mes të dyve ishte jo më tepër se 3.5 metër. Duke u rrëzuar mbrapsht përtokë, i shtyrë nga forca e plumbave të përplasur në trup, Gaxha arrin të tërheqë dy herë këmbëzën e “Glock-ut”, por pa adresë. Predhat godasin tavanin.

Në këtë moment, Ervis Martinaj, që duket se nuk kishte armë, tërhiqet pas, që të futet në hapësirën mes banakut dhe murit ndarës të veshur me elemente druri. Gjithsesi një plumb i Bilos e kap në fyt, e përshkon tejpërtej, por pa prekur organet jetësore, siç janë damarët e gjakut apo shtylla kurrizore. Ai pëson një dëmtim jo serioz në rrugët e frymëmarrjes, duke nxjerrë gjak e shkumë nga fyti, – një skenë që u la të gjithëve të kujtonin se po jepte shpirt.

Pasi sheh që Gaxha u neutralizua dhe Martinajn nuk e kishte më në fushëpamje, komandoja ja drejton armën Eljon Hatos, i cili edhe ky, kishte bërë tijën gati për qitje. Por sërish Bilo është më i shpejtë, edhe pse plumbi i lëshuar pothuaj njëkohësisht nga Hato, që po tërhiqej mbrapsht, i kalon disa centimetër pranë, duke u ngulur në një kolonë false prej druri, pas shpinës së tij.

I qëlluar në fytyrë dhe dy herë në trup Hato është tërhequr mbrapsht, duke u rrëzuar rreth katër metër më tej, në afërsi të portës hyrëse, mes një pellgu gjaku, por fatmirësisht në jetë.

Pasi shohin të tre kundërshtarët të shtrirë përtokë të përgjakur, Mevjol Bilo dhe miqtë e tij largohen në rrëmujë nga lokali, një pjesë pa u kujdesur për të marrë me vete celularët dhe sende të tjera personale.

Në vendngjarje policia gjeti vetëm armën “Glock” të Gaxhës me 13 fishekë në krehër, 11 gëzhoja të qitura nga tre armë të ndryshme, që të gjitha të kalibrit 9 mm.

Në tavolinën ku kishin qëndruar Bilo, Mata e të tjerët u gjetën e morën materiale për të bërë krahasimet e gjurmëve të gishtave si dhe për të zhvilluar AND-në. Sipas të dhënave paraprake, rezultatet laboratorike kanë qenë të kënaqshme. Po kështu, në tryezën ku ishin Bilo dhe Mata janë gjetur edhe një palë syze dielli me xhama të errët, nga ato që zakonisht mbajnë femrat.

Lokali në brendësi nuk kishte të instaluar sistem kamerash, duket një gjetje biznesi që tentonte të afronte klientelë VIP, ose frekuentues të ngjashëm me klientët e mbrëmjes së datës 4 tetor 2018. TIRANA TODAY

Kthehu