Edicione

Edicioni i lajmeve i datës 6 tetor

               Publikuar në : 14:36 - 06/10/18 S.N

Basha: Dyfishohet numri i bizneseve të mbyllura

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një videomesazh, ka vënë dukje gjendjen e vështirë që po kalojnë bizneset.

Sipas kreut të opozitës vëmendja e Edi Ramës është tek krimi dhe oligarkët.

Rastin “Xhisiela”, PD vijon me akuzat ndaj qeverisë

Opozita vijon me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me rastin e Xhisiela Malokut, skandali i publikuar pak ditë më parë.

Këtë herë, deputeti Gent Strazimiri ka pyetur Ramën publikisht se çfarë tregojnë kamerat e sigurisë në Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës. Po ashtu, Strazimiri e akuzon kryeministrin se dha 4 alibi për Taulant Ballën, në përpjekje që të fshehë praninë e numrit 2 të Partisë Socialiste në komisariat.

Vrasja në ish-Bllok, ndalohet një person në Kakavijë

Një 37-vjeçar i cili po udhëtonte drejt Greqisë, është ndaluar pasditen e djeshme në Kakavijë.  Ai dyshohet se ka lidhje me vrasjen e ndodhur në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Burime policore thanë se personi me iniciale G.H. dyshohet se ka qenë prezent në momentin e ngjarjes dhe do të merret në pyetje për këtë çështje.

Për vrasjen janë shpallur ne kërkim nga policia komandoja Merviol Bilo, Ervin Mataj dhe Fabiol Alushi.

Detaje/ Pronari i lokalit i kërkoi Elvanës të largohej

Detaje të reja zbulohen lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.

Mësohet se i dashuri i Elvana Gjatës, Ervin Mata është konfliktuar me Ervis Martinajn duke pretenduar se ky i fundit i ka ngacmuar të dashurën.

Ndërkohë, pronari i lokalit, i shoqëruar me Martinajn, i ka kërkuar këngëtares Gjata që të largohet. Ajo ka lënë lokalin, por i dashuri i saj nuk ka dëgjuar të largohet.

Sipas avokatit, Martinaj ishte në banak me pronarin e lokalit Monopol, Popesku kur ka nisur sherri. Ai tha se Martinaj ka njohje me Ervin Matën, ndërsa nuk ka pasur armë me vete.

Morën ryshfet/ Burg pa afat inspektorëve të Tatimeve

Dy inspektorët e Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë do të vijojnë të qëndrojnë në burg.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës në vijimësi të hetimit dha për Gentian Elezin 29 vjeç dhe Artan Kroj 37 vjeç, masën “arrest me burg”.

Dy zyrtarët akuzohen për “korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “shpërdorim të detyrës”.

Ata u arrestuan tre ditë më parë nga policia e Durrësit pas një hetimi 3 mujor.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu