Editorial - Opinione

Dikur e mbante si ”shembull”, sot Perëndimi po e sakrifikon Kosovën

               Publikuar në : 12:40 - 11/09/18 Bardhi

Nga Aidan Hehir, “TRTWorld”/Me Perëndimin në kaos, Kosova po zbulon se është gati t’i rrëmbehet integriteti i vet territorial. Për habinë e shumicës së vëzhguesve të politikës ballkanike, presidentët e Serbisë dhe Kosovës, kanë hedhur së fundmi idenë e një shkëmbimi territoresh.

Ndërsa detajet nuk janë ende të qarta, ideja duket të jetë “shkëmbimi” i zonave me shumicë shqiptare në Serbi, për zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Duke pasur parasysh krizat e shumta aktuale në politikën ndërkombëtare, lajmi se dy shtete “japin pëlqimin” për të ri-shikuar kufijtë e tyre në një cep të vogël të Europës Lindore, mund të duket i parëndësishëm.

Në fakt, kjo lëvizje mund të ketë ndikime thellësisht negative për sigurinë rajonale, por mbi të gjitha, do të minonte perceptimet e fuqive perëndimore, mbi gatishmërinë e tyre për t’iu përmbajtur parimeve të shpallura, dhe efektivitetin e “ndërhyrjes humanitare”.

Shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë, u karakterizua nga përpjekjet për të imponuar që kufijtë shtetërorë të lidheshin me etninë. Në rastin e Sllovenisë, kjo ishte kryesisht jo-problematike, pasi shumica dërrmuese e njerëzve ishin të identifikuar si sllovenë. Megjithatë, në Bosnje, Kroaci dhe më vonë në Kosovë, demografia ishte më e ndërlikuar, duke rezultuar në raste të ndryshme të spastrimit etnik.

Përkundër paqes relative që ka mbretëruar që nga viti 2000, ka ende disa minoritete të pakënaqura. Dhe nëse ndodhin shkëmbimet territoriale, shumë prej tyre kanë paralajmëruar se grupe të tilla si serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni, do të bëjnë thirrje për “rregullime” të ngjashme kufijsh, duke shkaktuar kësisoj konflikte të reja.

Kur përfundoi ndërhyrja e NATO-s, Kosova u bë në thelb një protektorat perëndimor. Në vitin 2008, pavarësisht kundërshtimit nga Serbia, dhe pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, parlamenti i Kosovës u inkurajua nga aleatët e saj perëndimorë të shpallë pavarësinë, edhe pse statusi i saj që nga ajo kohë është kontestuar, kryesisht nga Serbia. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova është shpallur nga fuqitë perëndimore si shembull i aftësisë së tyre për të përhapur demokracinë dhe vlerat liberale.

Kjo vendosmëri për ta kthyer Kosovën në një model të shkëlqyer për botën, ka bërë që t’i nënshtrohet mikro-menaxhimit të jashtëm ndërhyrës, duke përfshirë hartimin e kushtetutës së Kosovës, hartimin e flamurit të tij, zgjedhjen e himnit, dhe ushtrimin e kontrollit formal përmes organeve të tilla si ICO, EULEX dhe UNMIK .

Kontrolli joformal, i shfaqur në formën e “këshillave” dhe “paralajmërimeve” të bëra nga ambasadat e huaja në Prishtinë, ka qenë ndoshta po aq ndërhyrës. Pa asnjë autoritet kushtetues apo mbështetje popullore, fuqitë e huaja kanë zgjedhur Presidentin e Kosovës, kanë kërkuar që Kosova të krijojë një gjykatë të re speciale, dhe t’i imponohet nënshkrimi i një marrëveshje për vijën kufitare me Malin e Zi.

Vendosmëria për të krijuar imazhin e një Kosove demokratike, paqësore dhe multi-etnike, është nxitur më pak nga një interes i veçantë mbi Kosovën, dhe më shumë nga nevoja për ta përdorur Kosovën si një dëshmi se “ndërhyrja humanitare” e udhëhequr nga perëndimi dhe shtet-ndërtimi pas konfliktit, ka funksionuar.

Rëndësia e Kosovës në këtë drejtim është rritur, pasi që nga viti 1999, procesi i ndërhyrjes dhe ndërtimi të shtetit nëpër botë ka degraduar. Duke pasur parasysh dështimet në Afganistan, Irak dhe Libi, Kosova është shpallur gjithnjë e më shumë si një kundërvënie ndaj kritikës se “ndërhyrjet e huaja nuk funksionojnë”.

Shumë nga ata që kanë vëzhguan nga afër përparimin e vendit që nga viti 1999, kanë diskutuar prej kohësh pretendimin, se Kosova “provon” se ndërhyrja dhe shtet-ndërtimi, mund të funksionojnë.

Ndërsa kushtetuta e Kosovës, është e mbushur me referenca ndaj karakterit të saj “shumë-etnik”, ajo ka mbetur etnikisht e ndarë, midis shumicës së saj prej 96 për qind të popullsisë etnike shqiptare dhe minoritetit serb – megjithëse armiqësitë ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb, janë zbutur ndjeshëm.

Përveç kësaj, me mbështetjen e heshtur të shteteve kyçe perëndimore, pas vitit 1999 një elitë kriminale kapi institucionet shtetërore të Kosovës. Korrupsioni i tyre i shumë-përhapur, nepotizmi dhe ndonjëherë kërcënimet e dhunshme, kanë sjellë një sistem arsimor dhe shëndetësor të dobët, papunësi të lartë, kriminalitet të përhapur dhe rrjedhimisht emigrim masiv. Kështu, ideja e Kosovës si një shembull pozitiv është gjithmonë një mit, veçanërisht për ata që jetojnë aktualisht atje.

Sidoqoftë, përkrahja për shkëmbimin e territorit,. do të çmontonte më hapur mitin se Kosova është dëshmi e fuqisë dhe dashamirësisë së Perëndimit. Së pari, sepse do të ishte një pranim i fakti, që pavarësisht nga mikro-menaxhimi i zgjatur dhe ndërhyrës i Kosovës, fuqitë e jashtme nuk qenë në gjendje të krijonin një shoqëri të vërtetë pluraliste ose “multi-etnike”.

Është e qartë, se nxitja e shteteve për të akomoduar komunitetet etnike antagoniste, e dëmton idenë se ndërhyrja e udhëhequr nga Perëndimi dhe ndërtimi i shtetit, mund të nxisin pajtimin, dhe hedh dyshime mbi idenë se demokracia – veçanërisht ajo e imponuar nga jashtë – mund të shërbejë si një ilaç.

Së dyti, për shkak se mbështetja për ndryshimet kufitare – përballë kundërshtisë popullore, brenda Kosovës nga shqiptarët dhe serbët – paraqet natyrën e vërtetë të marrëdhënieve mes perëndimit dhe Kosovës.

Në vend se të pohojnë me këmbëngulje integritetin territorial, shumë nga miqtë e dikurshëm të Kosovës, tani duket të gatshëm të miratojnë ri-konfigurimin e saj për arsye të përshtatshmërisë.

Përkushtimi i SHBA-së ndaj rajonit është zhdukur qartazi nën presidencën Trump, dhe teksa Serbia dëshiron t’i bashkohet BE, edhe kjo e fundit dëshiron gjithashtu që Serbia të tregojë se edhe pas Brexit dhe me Rusinë në rritje, ajo mund të vazhdojë të zgjerohet.

Por duke vepruar kështu, ata janë dukshëm të gatshëm të sakrifikojnë Kosovën, së bashku me parimet që lidhen me pluralizmin, sovranitetin popullor dhe integritetin territorial. Natyrisht shumë njerëz do të kontestojnë idenë se ndërhyrja perëndimore dhe ndërtimi i shtetit, janë nxitur ndonjëherë nga parimet progresive.

Gjithsesi përkrahja e ndryshimeve kufitare në Kosovë, do të vërtetonte se retorika e Perëndimit ka qenë vërtet boshe. Dështimi për të ruajtur integritetin territorial të Kosovës, do të shkaktonte edhe më shumë dyshime mbi efektivitetin e “ndërhyrjes humanitare”, veçanërisht ndërhyrjen e udhëhequr nga Perëndimi, në një kohë kur bota është e mbuluar nga një mori tragjedish të tmerrshme brenda shtetërore.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu