Kryesore

Digjitalizimi iu vë në fyt litarin pensionistëve: Dekoderat i blejmë prej hallit!

               Publikuar në : 15:51 - 11/09/18 S.N

Dita e hënë shënoi ndërprerjen e transmetimeve analoge të kanaleve televizive shqiptare dhe të huaja në qarkun e Tiranës dhe Durrësit. Edhe pse kjo gjë ishte paralajmëruar prej kohësh nga AMA, përsëri shumë qytetarë u zunë në befasi. Të pakët ishin ata të cilët kishin blerë dekoderin DVB-T2, i cili i lejon të shohin lirisht disa prej kanaleve televizive. Kjo gjë u vu re që ditën e djeshme, ku radhët e qytetarëve në pikat e shitjeve ishin të gjata. Si pasojë ditën e sotme, pati një mungesë të theksuar në shumë prej këtyre pikave, ndaj dhe blerja e tyre nga njerëzit ishte e pamundur.

“Ishte një gabim, tani shkuam që ta blejmë dekoderin, jo vetëm që kishte shumë radhë, por nuk kishte më as pajisje. Është një sorollatje, sidomos për pensionistët, është e kotë dhe e pakuptimtë.”

“Nuk e porosita dekoderin, pasi nuk kishte në gjendje. Na thanë që do të paguajmë 30 mijë lekë të vjetra. Për mua ndoshta nuk është e shtrenjtë, por për një pensionist është.”

“Dje nuk pashë televizor, shkova te shtëpia e babait, shoh që kishte hipur sipër se i kishin thënë që i kishte lëvizur antena. Ai është 90 vjeç. Po çfarë po bëhet këtu në Shqipëri, përherë shto e ndrysho nga një ligj.”

Mos përgatitja e njerëzve, si edhe mungesa e informacionit bëri që AMA të shtyjë me 4 muaj fikjen e transmetuesve analogë të TV-ve. Sipas tyre sinjali do të fiket sërish më datë 15 janar 2019. Por, për qytetarët më problematike është ndryshimi i çmimit të dekoderit. Ata thonë për Tirana Today se çmimi po ndryshon çdo ditë. Ndërkohë të tjerë refuzojnë ta blejnë dekoderin.

“Këtu çdo gjë është rrëmujë. Një shoqe më tha që e bleu 28 mijë lekë, e këtu më thonë 30 mijë lekë. Nuk po e marrim vesh, se çfarë po ndodh. Në këtë situatë kur njerëzit nuk kanë dhe ekonomia është zero, kjo gjë është absurde.”

“Nuk e bleva, sepse çmimi ndryshon brenda ditës. Në zonën e Pazarit të Ri, para një jave ishte 25 mijë lekë dhe tani i shesin 30 mijë lekë.”

“Unë e kam blerë më parë dhe kam paguar 50 mijë lekë. Për pensionistin është pak shtrenjtë, por njëherë blihet ajo gjë.”

“Nuk pamë televizor mbrëmë, sepse nuk kishte sinjal. Edhe pse ne jemi dy pensionistë e ajo është pak e shtrenjtë, do ta blejmë dekoderin. Sepse kur të lidhet litari në fyt, ose do e lësh të shtrëngohesh e të mbytesh, ose do bësh derman.”

“Unë e bleva 35 mijë lekë. Por, do të ishte mirë që ashtu siç e mori privati ta kishte marrë shteti të drejtën për t’i shitur. Dhe në këtë mënyrë disa t’ia kishte falur e ata që kanë mundësi ekonomike ta blejnë.”

“Çfarë televizori, i kanë hequr. Unë 70 mijë lekë të vjetra pension kam, nuk kam ndërmend të blej dekoderin. Televizori është halli im i fundit.” TIRANA TODAY

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu