Kronikë

DETAJET/ I mbijetuari i masakrës së Matit: Kujtimi do kishte vrarë 13 persona nëse…

               Publikuar në : 14:27 - 12/10/18 S.N

Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në Mat. Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku këta punonjës po kryenin punime. Astrit Hani i mbijetoi masakrës ku u vranë 3 punonjës të Bashkisë. Ai ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e Burrelit, ndërsa ka marrë 2 plumba në kofshën e djathtë.

Hani ka folur për Balkanweb, duke treguar detaje, edhe pse në gjendje të rënduar psikologjike. I plagosuri tregoi minutat e tmerrit, kur pa se si Kujtim Koxha, ish-kryetar i PS për këtë zonë, qëllonte me breshëri automatiku tre kolegët e tij dhe atë vet.

Ai tha se dy orë para ngjarjes autori i krimit kishte pirë raki me një nga viktimat, Hamit Buçin. Madje Hani shokon me dëshminë e tij, ndërsa shton se babai i një prej viktimave, (Mentor Hoxhës), i kishte lënë porosi pronarit të lokalit që ta qeraste Koxhën me një gotë raki nga ana e tij.

“Kujtimi ishte dy orë para ngjarjes në atë lokal. Ishte ulur bashkë me Hamit Buçin. Pak më vonë, babai i një nga viktimat, Mentor Hoxhës, e qerasi me një dopio raki Kujtimin dhe më pas u largua. Aty ishin të gjithë punonjësit e bashkisë, edhe shoferët e makinave dhe varrmihës, po punonin për rrugën. Unë isha poshtë makinës (shoferi i një prej mjeteve të bashkisë) se po e shihja se dha një defekt, dhe pashë që Kujtimi po debatonte me viktimat. Dëgjova që u thoshte “jam unë këtu, jo ju” dhe kur iku i ofendoi. Madje ai tha ‘do ta shihni për pak se kush jam unë’”, -tha i mbijetuari.

Hani pohoi se gjithçka ndodhi gjatë kohës që ata ishin të gjithë duke ngrenë drekë, ndërsa autori i ngjarjes ishte larguar prej aty 20 minuta më parë.

Hani rrëfeu për ‘BalkanWeb’ edhe skenën e tmerrshme se si ndodhi ngjarja, kur Kujtim Koxha u shfaq në derën e lokalit, ku më parë kishte pirë me një nga viktimat.

“U largua për 20 minuta, se aq siç duket e kishte shtëpinë larg prej aty. U fut në derë me automatik dhe një çantë në dorë. Të parin qëlloi Mentor Hoxhën dhe më pas hapi zjarr me automatik tek të tjerët. Vëllai i pronarit të lokalit që ishte tek banaku, pas dere e kapi nga duart dhe i ngriti automatikun lartë dhe plumbat prekën tavanin. Po mos të kishte qenë ai do ishin 13 viktima brenda në lokal”, tha Hani.

Koxha ishte një person me problematik në fshatin e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.

Mes të tjerash bëhet e ditur se Koxha kishte shkuar në vendin ku ndodhi krimi me një automatik me një karikatorë të mbushur dhe një tjetër e kishte e mbante në xhep. Fatkeqësisht nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital.

Sakaq, policia arrestoi autorin rreth dy orë pas ngjarjes, ndërkohë që familja e tij është marrë në mbrojtje për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme nga familjet e tre viktimave.

Kthehu