Çfarë ndodhi me euron/ Pas 9 ditësh pikiatë ndalet rënia - Tirana Today

Çfarë ndodhi me euron/ Pas 9 ditësh pikiatë ndalet rënia

Monedha e përbashkët ka ndalur rënien në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro është këmbyer sot me 126.89 lekë, rreth 0.03 lekë më shumë se një ditë më parë. Në total, për periudhën janar-9 maj, euro ka rënë ose ka mbetur e pandryshuar përgjatë 63 ditëve, ndërsa është rritur vetëm për 23 ditë.


Më herët gjatë ditës së sotme, Banka e Shqipërisë në prezantimin e Raportit të Politikës Ndërkombëtare, ka argumentuar se kursi i këmbimit, që ka shfaqur një tendencë mbiçmuese të lekut dhe rënie të vazhdueshme të euros, është ndikuar nga faktorë afatshkurtër të paktën sa i përket monedhës së përbashkët.
BSH ka konfirmuar edhe një herë se rol në mbiçmimin e kursit të këmbimit kanë luajtur transaksionet e operatorëve të mëdhenj, ndërkohë që oferta në valutë ka qenë më e lartë se kërkesa.

Për aktorët kryesorë të tregut, euro do të vijojë trendin rënës. Rënie e euros ndihet më tepër përpara datës së pagesës së detyrimit të TVSH-së dhe pagesës së sigurimeve.

Ekspertët pohojnë se arsyet në afatgjatë vijojnë të mbeten të njëjta, ku faktori kryesor mbetet oferta e lartë për valutë, që vjen nga burimet informale, turizmi, investimet, pagesat e tasave nga bizneset, ulja e depozitave në valutë (në shkurt-prill stoku i depozitave në valutë ka rënë me rreth 80 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë) etj. Në kahun tjetër, qarkullimi i parasë vendase mbetet i dobët.

Aktorët e tregut valutor, të kontaktuar nga Monitor pohuan se arsyeja që po ndikon ditët e fundit, përveç rënies së euro në bursa, lidhet dhe me gjallërimin e aktivitetit turizmit në vend, ku është konstatuar një shtim i fluksit të valutës nga turistët.

Faktorët që kanë ndikuar në tregun e brendshëm sipas BSH

Leku është forcuar me një ritëm më të shpejtë në tremujorin e parë të këtij viti, pas moderimit të mbiçmimit të tij të vërejtur në muajt e fundit të vitit të kaluar. Në terma nominalë efektivë, mbiçmimi vjetor i lekut u rrit në 5.5% në muajin mars, nga 4.1% që shënonte në muajin dhjetor. Ecuri të ngjashme ka ndjekur edhe kursi real i këmbimit, me një mbiçmim vjetor të përshkallëzuar në 5.3% në muajin mars, nga 3.8% në fund të vitit të mëparshëm. Leku është forcuar me një ritëm më të shpejtë se në muajt paraardhës kundrejt të gjitha monedhave të shportës, por ndikimin më të madh e ka dhënë forcimi i tij kundrejt monedhës evropiane. Tendenca e forcimit të monedhës vendase, e pranishme që në fund të vitit 2015, është gjerësisht në linjë me zhvillimet e treguesve makroekonomikë që përcaktojnë vlerën e saj. Kështu, përshpejtimi relativ i rritjes ekonomike në vend dhe prospekti më i mirë i saj në të ardhmen, si dhe reduktimi i primit të rrezikut për ekonominë tonë, janë faktorët me natyrë fondamentale që kanë diktuar mbiçmimin e lekut në këtë periudhë. Nga ana tjetër, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë gjithashtu subjekt i tepricave valutore të prodhuara nga agjentë apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të cilat në periudha të caktuara kanë diktuar shpejtësinë me të cilën ky mbiçmim është faktuar. Këto goditje kanë përgjithësisht natyrë afatshkurtër e kalimtare e nuk lënë pasoja të përhershme në ekonomi.

Monitor


Kategori
EkonomiShqipëriaTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu