Blindohet Zagrebi, Vuçiç pritet me protesta - Tirana Today

Blindohet Zagrebi, Vuçiç pritet me protesta

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për pajtimin dhe paqen në rajon.


Në rrugët e Zagrebit janë vendosur së bashku flamujt serbë dhe kroatë, çka konsiderohet një event jo i zakonshëm në Kroaci.

Masa shumë të larta sigurie janë marrë nga autoritetet kroate, ku në të gjitha lartësitë e Zagrebit janë vendosur snajperë të forcave speciale, ndërkohë që kryeqyteti është thuajse totalisht i bllokuar.

Përveç takimit me homologen kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, Vuçiç do të takohet edhe me kryeministrin Andrej Plenkoviç, si dhe me kreun e Parlamentit, Gordan Jandrokoviç.

Presidenti serb do të zhvillojë edhe një takim me komunitetin serb në Kroaci, takim që do të mbahet në selinë e Kishës Ortodokse Serbe të Zagrebit. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidentja kroate. Ky samit do të jetë një akademi kumtesash me temë “e ardhmja e komunitetit serb në Kroaci”.

Nesër, Vuçiç do të udhëtojë në qytetin Vrginmost, ku do të takohet me pakicën serbe.

Ndërkaq, veteranët e luftës serbo-kroate dhe vejushat e ushtaravë të vrarë në luftë po zhvillojnë një protestë kundër Vuçiç, duke i kujtuar të kaluarën e tij radikale.

Paramilitarët e Sheshelit kanë kryer në Kroaci krime të mëdha përpara se të vazhdonin kasaphanën në Bosnjë dhe Kosovë.


Kategori
RajoniTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu