Editorial - Opinione

Berisha në shtegun e Gjarprit

               Publikuar në : 13:25 - 06/08/18 Bardhi

Nga Andi Bushati/Në shpërthimin sa hipokrit dhe meskin të Hashim Thaçit, kundër Sali Berishës, ka diçka përtej lëndimit të një politikani të sfiduar publikisht dhe të një presidenti të prekur në sedër.

Britmat e tij se nuk mund të marrë mësime kundër copëtimit të kufijve të Kosovës, nga njeriu që ka strehuar Bin Ladenin, që ka ndihmuar Millosheviçin, që ka burgosur Adem Jasharin, sado qesharake që të duken, nuk janë aspak të pafajshme.

Pse e sulmoi Thaçi Berishën? Vërtet ato përbëjnë një temë të përsëritur ndër vite në shtypin opozitar me Berishën.Vërtet mes tyre ka dyshime rënqethëse, që asnjëherë nuk janë zbardhur me fakte dhe prova. Vertet ato kanë fituar një lloj qytetarie në të dyja anat e kufirit. Por Hashim Thaçi është më së paku në pozitën morale dhe koherencën politike për t’u bërë sot zëdhënësi i këtyre tezave.

Kush e ka ndjekur biografinë e ish presidentit të parë shqiptar pas rënies së komunizmit, nuk e ka të lehtë të vërejë se të gjitha akuzat që ngre sot Thaçi i përkasin gjysmës së parë të viteve ’90. Kush i njeh gjithashtu fillimet e UCK-së, e di mirë se një pjesë e krahut të saj më radikal, ka besuar në ato që ish drejtuesi i saj politik me pseudonimin “Gjarpri” ka artikuluar sot.

Por që atëherë ka rjedhur shumë ujë. Me të gjitha këto akuza në shpinë Sali Berisha u rikthye në pushtet, këtë radhë si kryeministër, në vitin 2005, ndërsa, Hashim Thaçi e fitoi atë me zgjedhje, dy vite më vonë, për të mos iu ndarë deri sot, 11 vite më pas.

Dhe pikërisht këtu qëndron hipokrizia. Gjatë kohës që ndanin të dy muajin e mjaltit të pushtetit, Thaçi nuk i ka kujtuar kurrë këto akuza. Ai krijoi me Berishën dje, një çift po aq banal sa me Ramën sot. Të dy shiheshin përkrah njëri tjetrit në përvjetorë, të dy organizonin emisione televizive të përbashkëta, madje, madje, Thaçi u bë pjesë e përurimeve elektorale të 2009 dhe kaloi çdo cak, kur përshëndeti qëndrimin e Berishës për vrasjet e qytetarëve në 21 janar.

Pra është e qartë se më shumë sesa me Bin Ladenin, Millosheviçin, apo Adem Jasharin, shpërthimi i Thaçit, nuk ka të bëjë me historinë e Berishës, por me prononcimin e tij të fundit për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Po të lexosh me vëmendje deklaratën e Berishës, ai shprehet kundër ndarjes së një shteti të pavarur të njohur si të tillë nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, thekson se kjo i shkon për shtat strategjive të përpunuara në Beograd, nënvizon se kjo mund të hapë një kuti të vërtetë pandore në Ballkan, por në asnjë rast ai nuk përmend Thaçin dhe nuk e zë atë në gojë.

Atëherë pyetja është : përse presidenti i Kosovës e sulmoi personalisht ish partnerin e tij të dikurshëm, që nuk tha asgjë më shumë sesa dhjetëra, politologë, analistë, apo njohës të gjithfarëllojshëm të rajonit ?

Pa shtruar këtë pyetje dhe pa hamendësuar rreth përgjigjes së saj, nuk mund ti kuptosh rrufetë në qiell të pastër që hodhi presidenti kosovar.

Një version se përse Thaçi e bëri këtë duhet kërkuar në vendimin e tij politik për të pranuar ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e teritoreve. Pak ditë më parë ai e artikuloi të kamufluar këtë ide (lexo shkrimin poshtë). Ai duket se po punon prej kohësh për të. Dhe për të arritur këtë qëllim, ai ka futur në thes pothuajse gjithë koalicionin qeverisës të Kosovës, po aq të mefshtë sa dhe të korruptuar. Ajo që i trembet ai me shumë, është ndërhyrja në këtë diskutim, e zërave të fuqishëm publikë, që mund të prishnin projektin e tij. Prandaj ai shpërtheu ndaj Berishës, në një kohë që si kryetar shteti, që ka obligim gjithëpërfshirjen, ai duhet të ishte i interesuar të dëgjonte të gjitha zërat e ngërthyer në këtë debat.

Ideja për korrigjim kufijsh Kosovë Serbi: Në këtë kuptim, sulmi i shëmtuar ndaj Berishës, e bën fajtor Hashim Thaçin.

Fajtor jo për faktin se ka një ide të ndryshme (shumë e diskutueshme edhe kjo), por se me sa duket ai po punon për ta vënë atë në jetë në mënyrë të fshehtë, tinëzare, pa zhurmë dhe bujë.

Prandaj ai e paraqet tinëzisht atë, si një bashkim me tokat e ndara të Preshevës dhe Bujanovcit, prandaj ai bëhet nervoz dhe del nga vetja, kur Berisha denoncon jo atë vetë, por idenë që ai mbështet.

Pikërisht ky nervozizëm i mbështjellë me hipokrizinë e ngjarjeve të së shkuarës të bën të dyshosh për qëllimet e Hashim Thaçit.

Më shumë se në të mirë të Kosovës, ai me sa duket po përpiqet ta përdorë për interesat e tij personale fabulën e marrëveshjes me Beogradin.

Pak rëndësi ka nëse këto interesa janë të lidhura Gjykatën Speciale apo me ëndrrat e përkundura në Bruksel, për Nobelin e Paqes.

E rëndësishme është që ato rrezikojnë të jenë në dëm të shqiptarëve. Këtë e provoi edhe reagimi i çartur, hipokrit dhe meskin i Thaçit ndaj Berishës, që nuk ishte asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të shmangur debatin aktual. (Lapsi.al)

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu