Ballkanasit votojnë politikanët që i urrejnë për vdekje - Tirana Today

Ballkanasit votojnë politikanët që i urrejnë për vdekje

Nga Vesko Garçeviç “BIRN”/Zgjedhjet e fundit në Beograd, konfirmuan sërish se qytetarët në Ballkan nuk i duan qeveritë e tyre, por votojnë gjithsesi për ata që janë në pushtet.


Kur isha ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në Vjenë, Vuk Drashkoviç, asokohe Ministër i Jashtëm, më tregoi një anekdotë nga “kohët e tij të lavdishme të opozitës”, kur ishte kundërshtari kryesor i regjimit të Sllobodan Millosheviçit në fillim të viteve 1990.

Gjatë fushatës në Serbinë lindore, ai kujtonte një takim me një grup fermerësh, të cilët e lanë pa fjalë me logjikën e argumentit të tyre, se pse ata nuk do të votonin për Lëvizjen e Ripërtëritjes Serbe: Ne do të votojmë për ju ditën që do të vini në pushtet, i thanë ata.

Pak vite më parë, në cilësinë e koordinatorit kombëtar për NATO-n në Malin e Zi, isha duke vizituar disa komunitete lokale. Asgjë nuk më tronditi më thellë se sa niveli i frustrimit që shumë njerëz ndjenin me jetën dhe të ardhmen e tyre.

Ata nuk i besonin qeverisë dhe partisë në pushtet. Por nga ana tjetër as shumicës së aktorëve të tjerë politikë në Malin e Zi. Unë do ta përshkruaja atë si një mungesë kronike optimizmi – dhe kjo ka zgjatur për dekada të tëra.

Po si funksionon aktualisht kjo çështje e urrejtje-dashurisë? Çfarë na bën të duam njerëzit në pushtet – frika e ndryshimit dhe pasiguria, mungesa e një alternative të mirë e të qëndrueshme apo të dyja bashkë?

Është e vërtetë, që kur vijnë në pushtet, elitat politike të Ballkanit kanë tendencë të qëndrojnë aty pafundësisht. Por ky fenomen politik nuk u shpik në Ballkan.

Nuk është marka jonë origjinale. Vetëm sa për ta kujtuar, presidenti aktual i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, shërbeu si kryeministri i 23 -të i Luksemburgut nga viti 1995 dhe deri në vitin 2013, dhe si Ministër i Financave të vendit gjatë viteve 1989-2005.

Pasi u mposht politikisht në shtëpi, BE i ofroi atij një punë të re. Shkurt, Juncker ka qenë një vendimmarrës në Luksemburg ose në BE për 28 vjet rresht.

Sigurisht, nuk po e krahasoj zotin Juncker me politikanët tanë rajonalë, apo ndonjërin nga vendet e Ballkanit me Luksemburgun. Sistemet politike janë të pakrahasueshme.

Juncker nuk ishte kryeministri i një shteti të njohur për mungesën e traditës demokratike, dhe kulturën e dobët të dialogut. Shteti i tij, nuk vuante as nga institucionet e dobëta, joefikase, korrupsioni, partitokracia, diskriminimi politik apo shtypja e lirisë së medias.

Problemi është më i thellë, dhe ka të bëjë me të gjithë aktorët në të gjithë spektrin politik në rajon – si ata në pushtet ashtu edhe në opozitë.

Zgjedhjet lokale në Beograd, të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti një “festival të demokracisë”, shënuan një rekord për numrin e kandidatëve; 24 parti dhe koalicione garuan për asamblenë e qytetit.

Nëse dikush dëshiron të dërgojë një kartolinë nga Ballkani këto ditë, mund të zgjedhë një ngjyrë gri.

Grija, duket një përshtatje e përkryer për atë që po ndodh në rajon, duke lënë mënjanë problemet endemike me të cilat duhet të merret rajoni, si korrupsioni apo deficiti demokratik.

Kosova ka një problem që ka të bëjë me të kaluarën e saj, dhe me konceptin e drejtësisë tranzicionale. Por gjithashtu edhe Kroacia ka një problem me të kaluarën e saj.

Këshilli i Kroacisë për trajtimin e pasojave të sundimit të regjimeve jo demokratike, miratoi një propozim për ndryshime ligjore që do të lejonin veteranët e luftës që “në mënyrë të jashtëzakonshme” të përdorin sloganin fatalist të Ustashëve në Luftës së Dytë Botërore, “Za dom spremni” (Gati për atdheun!).

Serbia ka gjithashtu një problem me të kaluarën e saj, dhe me rolin që luajti në vitet 1990. Jo shumë kohë më parë, ministri serb i Mbrojtjes, tha se Serbia duhet të kërkojë një marrëveshje për ndarjen e Kosovën, në mënyrë që të përfundojë një mosmarrëveshje që po e pengon pranimin e Beogradit në BE.

Llogaria duket e thjeshtë: flasim për ndarjen e Kosovës, por kemi parasysh edhe Republikën Srpska në Bosnje. 

Në të njëjtën kohë, edhe Bosnja po përballet me një nga krizat më të thella në historinë e saj si vend i pavarur. Dhe ajo shfaqet në nivele të ndryshme.

I frikësuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, qyteti i Sarajevës ndryshoi vendimin e tij për të nderuar laureatin e Çmimit Nobel në letërsi Orhan Pamuk, i njohur për aktivizimin e tij politik kundër presidentit turk.

Sinjale edhe më shqetësuese vijnë nga Republika Srpska. Entiteti me shumicë serbe i Bosnjës, bleu kohët e fundit mbi 1.700 pushkë automatike, ndërsa 2.500 të tjera do të mbërrijnë së shpejti.

Pse? Për të mbrojtur veten? Nga kush? E vetmja dritë shprese vjen aktualisht nga qeveria e re maqedonase, e cila po bën çmos për ta kthyer vendin drejt Brukselit. 

Diku tjetër, cila është alternativa? Mjerisht, përveç disa zërave të fuqishëm që vijnë nga sektori i ojq-ve dhe disa politikanëve të nënvleftësuar nga votuesit, opozita në rajon nuk duket më mirë, në mos është më keq, se sa ata në pushtet.

E fragmentuar, të paorganizuar, pa vizion, e nxitur nga udhëheqësit e fiksuar me vetë-promovimin, ajo është e destinuar të dështojë.

Të fiksuar me të kaluarën dhe të motivuar nga ideja e hakmarrjes kombëtare, ata nuk mund të mobilizojnë dot votuesit si nismëtarë të vërtetë të një ndryshimi demokratik.

Mbrojtja e lirisë së medias dhe kritika e korrupsionit, duke e portretizuar nga ana tjetër Rusinë e Vladimir Putinit si një model, tingëllon groteske.

Për ta bërë situatën edhe më të zymtë, hapësira politike e opozitës po plotësohet nga udhëheqës fetarë të papërgjegjshëm në anën e ekstremit të djathtë, duke nxitur ideologjinë e tyre ultra-konservatore e nacionaliste.

Për shembull, opozita e dobët në Malin e Zi, është zëvendësuar prej shumë vitesh nga zërat e fuqishëm të sektorit të ojv-ve ose nga Kisha Ortodokse Serbe, që synon të ketë fjalën e fundit në mosmarrëveshjet e brendshme politike.

Nuk është çudi që ata që kërkojnë më shumë sesa fytyra të reja në cirkun politik të Ballkanit, qëndrojnë zakonisht në shtëpi dhe nuk votojnë.

Ka miliona, të rinj, të arsimuar, të zhgënjyer dhe të pakënaqur, që ëndërrojnë të kenë një jetë normale, dhe për këtë të gatshëm të largohen diku tjetër.

Ata janë potenciali i pashfrytëzuar i shoqërive tona. Por aktorët politikë të rajonit, nuk dinë si të mbërrijnë tek ata, pasi këta të fundit nuk përputhen me imazhin e votuesit të zakonshëm.

Në këtë moment, asnjë forcë politike në rajon nuk duket e aftë të artikulojë interesat e tyre, dhe t’i transformojë ato në veprime politike, që do të mund të sillnin një transformim të plotë.

Rrjedhimisht, kur të vijë viti 2025, nëse mbërrin ndonjëherë “viti i aderimit në BE”, shumë prej tyre nuk do të jetojnë më këtu.

Shënim: Vesko Garçeviç është ish-ambasador i Malit të Zi në NATO, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Aktualisht ai është profesor në Shkollën Frederick S. Pardee të Studimeve Globale në Universitetin e Bostonit në SHBA.

PËSHTATI TIRANA TODAY


Kategori
OpinionTë Gjitha
Ska koment

Lini koment

*

*








Të lidhura

Kthehu