Futboll

Analiza e Ledjo Panos për futbollin shqiptar: Dobësitë e Partizanit, dënimi i korçarëve dhe FSHF (Video)

               Publikuar në : 10:00 - 13/05/18 Enno

Futbolli në Shqipëri ka evoluar shumë nga vitet që Ledjo Pano ishte protagonist në fushën e lojës dhe dhuronte magji me këmbët e tij. Sigurisht që ka avancuar për mirë, por ka edhe një rënie ndjeshmërie dhe pjesëmarrje të vogël të tifozëve në stadiume. Ndryshe nga vitet 90, sot futbollistët kanë pagesa të majme, por ajo që japin në fushë lë shumë për të dëshiruar. Sipas Panos kjo vjen si rrjedhojë e faktit që lojtarët nuk e ndjejnë fanellën që mbarin dhe nuk sakrifikohen për të. Ledjo Pano ka bërë një analizë të situatës në të cilën ndodhet Partizani në vitet e fundit, por edhe të dënimit 10 vjeçar të Skënderbeut e mandatit të pestë të Dukës në krye të FSHF-së.

Futbolli ka evoluar, kur luaja un ishte ndjenja ndaj fanellës dhe klubit, nuk kishte shumë të ardhura por kishim pasionin për të luajtur futboll. Futbolli është bërë më i shpejtë dhe praktikisht do të ketë më shumë gabime, por besoj se lojtarët nuk e ndjejnë fanellën aq sa duhet dhe kjo bën diferencën që futbolli është akoma në këtë nivel në vendin tonë.

Partizani? Mënyra e organizimit çalon, e ka treguar këto vite duke bërë të njëjtat gabime. Nuk ka një bosht në ekip, pasi ndryshon çdo vit edhe pritshmëritë nuk janë aq të mëdha. Investimet nuk kanë munguar, por përzgjedhja e tyre ka bërë diferencën. Më mirë të investohet në tre lojtarë dhe të jenë cilësorë, sesa 7 dhe jemi këtu ku jemi. Për këtë vit fillimi ishte shumë i vështirë për ekipin, prandaj edhe ecuria ishte e tillë. Është e vështirë të kompensosh pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë si Skënderbeu, Kukësi edhe Laçi pasi ishin më të kompletuar. Mendoj që Partizani duhet të shkojë në kupat e Europës, pasi i ka mundësitë”, shprehet Pano.

Trajnerët e huaj? Ka një problem këtu tek ne, ne bëjmë investimin sot dhe nesër duam fitimin. Çdo trajnerë do kohën e vet, të njohë të gjithë ambientet dhe kampionatin, te fusë mentalitetin e vet, pra çdo kohë do kohën e vet. Ne çalojmë edhe në pjesën organizative të ekipi. Shumë pak klube kanë klubin e vet dhe fushat e veta, por udhëtojnë sa andej këndej dhe kjo ndikon tek forma. Pasi nëse ka klubin e vet si e ka gjithë bota dhe merren gjatë gjithë kohës me atë punë.

Dënimi i Skënderbeut? Më vjen shumë keq që janë ngritur të tilla akuza, pasi jam pjesë e këtij futbolli dhe për çdo ekip do të më vinte keq. Aq më keq për Skënderbeun që ka qenë ndër ekipet më të mira të Superiores. Unë nuk e di pasi nuk jam pjesë e klubit, atë e dinë drejtuesit dhe futbollistët. Kjo është e rëndë për të gjithë kampionatin shqiptarë, por nëse trukimet kanë ekzistuar UEFA ka treguar se nuk do ti tolerojë.

Çfarë po ndodh me FSHF-në, sa ka ndihmuar ajo në zhvillimin e futbollit shqiptar?

Federata nuk po ndihmon në anën e rritjes së cilësive, por nga anë të tjera. Partizani po dënohet me gjoba dhe tifozë e kjo nuk është ndihmë. Është ndër ekipet që është dënuar më shumë këtë vit. Federata duhet të ndihmojë sportin dhe kjo është e padiskutueshme, si nga ana financiare ashtu edhe me fusha, e jo duke dënuar tifozët, fushat dhe lojtarët. Duhet të dënojnë arbitrat që janë bërë faktor kryesorë për ecurinë e kampionatit.

Federata nuk është në gjendje të shëndetshme, pasi Gjykata nuk njeh presidentin e Komitetin Ekzekutiv. Duhet bërë ndryshimi, pasi risitë sjellin freski dhe më shumë punë, sa më shumë kohë të kalojë aq më i ngadaltë do të bëhesh në punët që bën. Por unë besoj se Duka do të ikë kur të dojë vetë, ai ka krijuar terrenin e vet. Ka bërë gjëra të mira por duhet të kishte bërë më shumë.

Kjo Federatë duhet të kishte ndryshuar, pasi mënyra e punës duhet të jetë e ndryshme nga këto 16 vite. Duhet të ndryshojë mënyrën e marrëdhënieve me ekipet pasi i ka mundësitë. Mos të ndërtohen stadiume kaq të mëdha me kaq klas, sigurisht duhet stadiumet, por duhen rregulluar klubet, fushat stërvitore dhe stadiumet ku zhvillohen ndeshjet javë pas jave, më pas bëhen investime kaq të mëdha”, përfundon Ledjo Pano.

Eno Leka TIRANA TODAY

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu