Maqedoni

Ambientalistët ngrejnë alarmin, mbeturinat po mbysin Maqedoninë

               Publikuar në : 18:10 - 12/05/18 user

Organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, kanë ndezur alarmin se në Maqedoni institucionet përkatëse nuk i paraqesin mbeturinat e rrezikshme industriale me mbetje toksike si dhe mbeturinat mjekësore, por pjesën më të madhe të tyre e hedhin në deponitë bashkë me mbeturinat e tjera komunale.

Ambientalistët thonë se përpos mbeturinave komunale, në më shumë rrjedha të lumenjve dhe në lokacione të ndryshme hidhen edhe mbeturinat e rrezikshme.

Në Maqedoni, vetëm deponia e Drisllës në Shkup është ajo që plotëson standardet minimale të Bashkimit Evropian të përcaktuara me direktivat e deponive për menaxhimin e materieve të rrezikshme.

Nga Ministria për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për Radion Evropa e Lirë thonë se “nuk disponojnë me informacione se në Maqedoni ka vende të caktuara ku hidhen mbeturinat e rrezikshme, duke shtuar se nëse për një gjë të tillë kushdo qoftë, disponojnë me fakte, duhet t’i njoftojnë organet kompetente dhe ata menjëherë do të veprojnë në bazë të ligjeve që rregullojnë menaxhimin e mbeturinave”.

Në bazë të një studimi në kuadër të ministrisë së ambientit jetësorë dhe planifikimit hapësinor, brenda vitit, industria e vendit gjeneron rreth 14 mijë ton mbeturina të rrezikshme.

Por, organizatat joqeveritare thonë se një pjesë e madhe e mbeturinave të dëmshme nuk paraqiten si të tilla nga gjigantët industrial, por edhe institucionet shëndetësore duke synuar të ulin koston e shpenzimeve.

Më e keqja, thotë Bllazhe Josifovski nga “Hajde Maqedoni” është ajo se qytetarët nuk janë sa duhet të informuar për atë se çka paraqesin mbeturinat rrezikshme.

“Mbeturinat e rrezikshme paraqesin mbeturina të posaçme për të cilat nevojitet trajtim adekuat, sepse për dallim nga mbeturinat komunale ata janë toksike, kancerogjene, radioaktive. Pra, mbeturinat e rrezikshme në forma të ndryshme paraqesin rrezik të lartë për ambientin jetësor”, thotë Josifovski.

Ndërkaq, Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare EKO GUERILA për Radion Evropa e lirë thotë se ligji që rregullon mbeturinat e rreziksme nuk është dhe aq i keq, por problemi qëndron tek inspektorati që është përgjegjës për mbrojtjen e ambientit i cili sipas tij nuk është në krye të detyrës.

“Pra, është inspektorati i ekologjisë ai që duket se nuk e bën punën siç duhet prandaj mbetjet e këtilla që u takojnë mbeturinave të rrezikshme përfundojnë në deponitë legale apo ilegale bashkë me mbeturinat komunale pa respektuar standardet” .

“Mendoj se problemi më i madh është tek dështimi i inspektoratit ekologjik i cili ka për detyrë të ndjek ata që shkelin ligjin dhe të sigurohet që mbeturinat e rrezikshme të menaxhohen në mënyrën e duhur”, thotë Xhaferi.

Mbeturina të rrezikshme llogariten edhe mbeturinat mjekësore që i krijojnë institucionet shëndetësore. Organizatat joqeveritare në vazhdimësi kanë ngritur zërin se në afërsi të institucioneve shëndetësore përkatësisht parqet përreth, vërehen mbeturina të rrezikshme mjekësore, si shiringa të përdorura, fasha të gjakosura, gjips të përdorur e deri te inde të ndryshme të hequra në mënyrë kirurgjike.

Ndryshe, në Maqedoni janë rreth 16 zona të kontaminuara nga mbeturinat e rrezikshme si rrjedhojë e fabrikave të cilat tani janë mbyllur, e që punonin me kapacitet të plotë gjatë ish Jugosllavisë.

Dislokimi i këtyre mbeturinave është i kushtueshëm edhe pse qeveria zotohet se së shpejti do të gjejë një zgjidhje.

Problem në vete thonë ekspertët paraqet dhe fakti se qytetarët por edhe vetë bujqit nuk janë të informuar për shkallën e lartë të ndotjes së tokës bujqësore megjithëse i ndjejnë pasojat.

Trajçe Stafillov nga Fakulteti i Shkencave Natyrore në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se në të ardhmen do të duhet të destinohen më shumë mjete në këtë drejtim për tu dalë në ndihmë bujqve.

Pas analizave të marra në 1 mijë lokacione të ndryshme të Maqedonisë, profesor Stafillov, thotë se më shumë se gjysma e mostrave ka nxjerrë në pah se trualli prej ku janë marrë mostrat në Maqedoni është i kontaminuar

“Në bazë të rezultateve të hulumtimeve të realizuara del në pah se ka më shumë rajone ku trualli është i ndotur e cila pastaj ndot dhe ajrin përmes pluhurit që ngrihet. Njëherësh duhet theksuar se në Maqedoni ka më shumë lokacione thënë kushtimisht deponi me materiale të rrezikshme që i përkasin historisë, pra deponi që janë hapur nga gjigantët e mëdhenj industrial para dy ose tre dekadave kur rregullativa ligjore nuk ishte aq rigoroze siç është tani”, thotë Stafillov.

Organizatat joqeveritare disa herë kanë ngritur zërin se autoritet shtetërore shohin përmes gishtërinjve kur industritë e mëdha një pjesë të mbeturinave e hedhin në rrjedhat e lumenjve duke krijuar kështu katastrofë të vërtetë ekologjike./REL

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu