Politikë

Ambasadorja gjermane: Të mos manipulohet me Vettingun!

               Publikuar në : 10:05 - 10/08/18 Bardhi

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, vlerëson procesin e vetingut, i cili, sipas saj, po prek nivele të larta të sistemit të drejtësisë.

“Mekanizmi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kolonë mbështetëse e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e cila po mbështetet prej vitesh nga Gjermania”, u shpreh dje ambasadorja gjermane Susanne Schütz, në faqen e ambasadës gjermane në “Facebook” për ecurinë e procesit të vetingut.

 Ambasadorja Schütz shton se, “unë e përshëndes faktin që procesi i vetingut i nisur në muajin mars ka përparuar mirë”.

“Falë punës së rëndësishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve dhe përkrahjes së përkushtuar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, u bë e mundur që në fazën e parë të vetingut të verifikohen shumë gjyqtarë dhe prokurorë, madje edhe të nivelit të lartë. Jam e bindur se një proces verifikimi i pavarur dhe me standarde të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë”, shprehet ambasadorja Schütz.

Ajo kërkon që menjëherë pas këtij procesi vetingu, të ngrihen institucionet e reja të drejtësisë dhe të plotësohen vendet vakante në gjykata. “Prandaj, është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore. Në këtë kuptim, Gjermania do të mbështesë edhe Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese. Gjermania qëndron krah Shqipërisë, duke mbështetur vendin në rrugën drejt negociatave për anëtarësimin në BE”, shkruan ambasadorja Schütz në “Facebook”.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu