Kryesore

8 marsi pas hekurave

               Publikuar në : 19:25 - 08/03/18 Enno

Gratë e burgut 325 presin fëmijët e tyre mes 8 marsit pas hekurave. Nuk janë si gratë e tjera, ato nuk festojnë, qeshin me mund dhe lotojnë më mall. Janë më shumë se 100 gra të dënuara, të moshave të ndryshme, secila me nga një histori për të treguar. Por, kamera i frikëson.“Nuk dua të dal në televizor, pse t’ia nxij më shumë fytyrën familjes”,- thonë me zë gati të mekur.

Janë me dhjetëra gra e vajza, që janë privuar nga liria dhe çdo ditë që kalon, është një vuajtje më shumë. Janë të forta, por njëkohësisht, e ulin kokën si të jenë të turpëruara.Për shumë prej tyre, ky është 8 Marsi i disatë, që e kalojnë në mungesë të lirisë. Dhe për disa të tjera, ky është i pari, duke shpresuar se do të jetë i fundit.

“Burgu është shumë i rëndë, sidomos për gratë, për to është krim”,- thotë Anita për Tirana Today.

Anita akuzohet për shfrytëzim prostitucioni, një akuzë që nuk e njeh dhe nuk e di nga e ka marrë denoncimin, duke fajësuar oficerët e policisë.

I frikëson burgu, por më tepër i druhen jetës kur të dalin. Asgjë nuk do të jetë më njësoj.

Anita

Për Lulen, 8 Marsi është dita kur vuan më shumë. Nuk është afër fëmijëve të saj, të cilët janë të vetëm në Lezhë dhe kjo e mundon më shumë se çdo gjë. Duke i kërkuar ndihmë Bashkisë së Lezhës, për të mbështetur dy fëmijët të cilët janë në klasë të shtatë. Ajo thotë për Tirana Today, se është ndarë prej 13 vitesh nga bashkëshorti, i cili është i sëmurë, dhe që prej asaj kohe, fëmijët nuk e kanë parë më.

Lulja

Burgu 325 ndodhet në zonën “Ali Demi”, pranë zemrës së Tiranës, por kush hyn këtu, veç ligjit, përballet edhe me paragjykimin e shoqërisë.

I lëmë në shoqërinë e njëra-tjetrës, për të shijuar muzikën, të ndjehen të lira. Të jenë kokëlartë, sepse dinjitetin nuk ia largojnë, as muret e larta të burgut. TIRANA TODAY

Kthehu