Histori

10-vjet pavarësi, Prishtina i kërkon Tiranës xhamadanin dhe orën e Isa Boletinit

               Publikuar në : 09:53 - 01/02/18 S.N

Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Prishtina ka kërkuar që një pjesë e veshjeve dhe e sendeve të Isa Boletinit të ndodhura në Muzeun Kombëtar të Tiranës, të transferohen përkohësisht drejt Prishtinës.

Kjo kërkesë iu parashtrua ministres Kumbaro, në një takim që ajo mbajti me homologun e tij, Kujtim Gashin.

“Ekzistojnë në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë objekte të Isa Boletinit, përfshirë xhamadanin, orën dhe disa sende të tjera, ku kërkova që këto të na sjellin përkohësisht në Kosovë, t’i kemi në ekspozitën e përhershme të cilën jemi duke e përgatitur për ta hapur më 17 shkurt”, theksoi Gashi.

Po ashtu, mes tyre u ra dakord dhe për një kalendar të përbashkët kulturor për 2018-ën:

“T’i ikim praktikës që institucionet e kulturës të vijnë dhe të kenë aktivitete në Shqipëri dhe anasjelltas. Aktivitetet e kulturës të jenë të përbashkëta në mes të institucioneve tona. Besoj se institucionet tona, drejtuesit e institucioneve, do të kenë komunikim të përhershëm në mënyrë që ne si politikë, si ministri dhe si qeveri, ta kryejmë punën tonë, financimin e këtyre aktiviteteve dhe në të njëjtën kohë edhe mbulimin teknik, ndihmën teknike”, tha Gashi.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu